Ditën e hënë Google prezantoi një chatbot të ri të fuqizuar nga inteligjenca artificiale të quajtur Bard AI, dhe pritet që ai të vijë drejt përdoruesve në javët në vijim. Bard do të jetë një rival i drejtpërdrejtë i ChatGPT, një shërbim AI i krijuar nga OpenAI.
Bard fuqizohet nga modeli gjuhësor tepër i madh i kompanisë i quajtur LaMDA (Language Model for Dialogue Applications). Fillimisht akses në këtë teknologji do të fitojnë “testues të besuar”, para se ajo të ofrohet gjerësisht për të gjithë përdoruesit, siç bëhet e ditur nga postimi në blog i Google.
“Së shpejti ju do të shikoni shërbime të reja të fuqizuara nga AI në Search që gjenerojnë informacione komplekse dhe prespektiva të ndryshme në një format lehtësisht të kuptueshëm, në mënyrë që ju të kuptoni shpejt mbi temën e kërkuar dhe të mësoni më tepër nga web-i.” shkruan CEO Sundar Pichai.
Kompania dha një shembull ku Bard është përdorur për të thjeshtësuar tema komplekse, si përshembull shpjegimi i zbulimeve të reja nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA në një tekst të përshtatshëm për 9 vjeçarët.
Javën e kaluar, Google nisi të testonte disa nga shërbimet e kësaj teknologjie mes punonjësve të kompanisë si pjesë e një plani emergjent për t’iu përgjigjur suksesit të ChatGPT.