Mepublikimin e versionit të ri të sistemit operativ iOS 17.5 dyshohet se ka ardhur dhe një bug, i cili po rishfaq fotot që janë fshinë vite më parë nga disa përdorues të iPhone. Kjo gjë është bërë e ditur nga përdorues të ndryshëm në Reddit.
Përdoruesit e prekur nga ky problem thonë se pas përditësimit në iOS 17.5 – i cili u publikua të hënën – janë rikthyer një numër fotografish në aplikacionin Photos që ishin fshirë vite më parë. Imazhet në fjalë thuhet se shfaqen si imazhet më të reja në aplikacionin Photos pas instalimit të iOS 17.5. Një përdorues thotë:
“Kur po bisedoja me partnerin tim, doja të dërgoja një fotografi dhe pashë se fotot e fundit ishin materiale eksplicite që kishim bërë vite më parë kur jetonim të ndarë. Ato ishin fshirë përgjithmonë vite më parë, por si me magji janë rikthyer? Kontrollova iPad-in tim dhe ai gjithashtu ka fotografi (disa punë arti që kam bërë vite më parë). Ndihem shumë në siklet.”
Normalisht, aplikacioni Photos ka një shërbim “Recently Deleted” që ruan imazhet e fshira për 30 ditë. Kjo nuk është ajo që po ndodh në këtë rast, pasi shumica e imazheve në fjalë janë fshirë prej muajsh apo vitesh, jo ditësh. Apple nuk ka komentuar mbi problemin, por natyrisht ngre shqetësime dhe pyetje të panumërta në lidhje me privatësinë dhe ruajtjen e të dhënave. Disa përdorues në Reddit spekulojnë se iOS 17.5 mund të ketë sjellë ndryshime në aplikacionin Photos dhe për pasojë ka ndodhur ky gabim.