Një studim i ri i publikuar në revistën NeuroImage sfidon një nga idetë më të përhapura mbi bashkëpunimin mes njerëzve. Fakti që truri i dy personave sinkronizohet gjatë një aktiviteti të përbashkët nuk do të thotë automatikisht se ata performojnë më mirë.
Studiuesit nga Nanyang Technological University në Singapor analizuan fenomenin e njohur si inter-brain synchrony, pra momentin kur aktiviteti i trurit të dy individëve fillon të përputhet gjatë bashkëpunimit. Për eksperimentin u përzgjodhën 33 çifte vullnetarësh, të cilët luajtën lojën klasike Tetris si individualisht ashtu edhe në ekip.
Në versionin bashkëpunues të lojës, secili lojtar kishte një rol të veçantë, njëri lëvizte blloqet majtas-djathtas, ndërsa tjetri i rrotullonte. Për ta bërë sfidën më interesante, pjesëmarrësit nuk lejoheshin të komunikonin me fjalë, duke u detyruar të parashikonin veprimet e partnerit.

Gjatë testit, shkencëtarët monitoruan aktivitetin cerebral me sensorë që matnin ndryshimet në rrjedhën e gjakut në zona të rëndësishme të trurit. Në disa sesione u përdor edhe stimulim magnetik transkranial për të ndryshuar përkohësisht aktivitetin në një rajon të lidhur me ndërveprimet sociale, me synimin për të parë nëse kjo do të ndikonte në bashkëpunim.
Rezultatet treguan se gjatë lojës në ekip aktiviteti i trurit sinkronizohej dukshëm më shumë sesa gjatë lojës individuale. Megjithatë, ndryshimi artificial i aktivitetit të trurit nuk pati asnjë ndikim në performancën e çifteve apo në nivelin e sinkronizimit.
Edhe më interesante ishte zbulimi se çiftet me sinkronizim më të lartë në korteksin prefrontal realizuan më pak kombinime komplekse në lojë, duke sugjeruar se një lidhje më e fortë e mendimeve nuk përkthehet domosdoshmërisht në rezultate më të mira.
Pavarësisht performancës, pjesëmarrësit e vlerësuan partnerin e tyre si më të pëlqyeshëm pas bashkëpunimit. Sipas autorëve, kjo tregon se sinkronizimi i trurit mund të pasqyrojë më shumë përpjekjen për të kuptuar tjetrin sesa suksesin e vetë bashkëpunimit.

