Microsoft ka prezantuar një version të ri të motorit të kërkimit Bing që është i fuqizuar nga një version i përmirësuar i teknologjisë AI të përdorur nga ChatGPT. Ky produkt do të lançohet në të njejtën kohë me shërbimet e reja AI që do të vijnë në browser-in Edge, duke premtuar se kjo dyshe do të sjellë një eksperiencë të re të kërkimit të informacioneve online.
“Është një ditë e re në search,” tha CEO i Microsoft Satya Nadella gjatë prezantimit të këtyre produkteve. Nadella shtoi se mënyra e shfaqjes së informacioneve nuk ka ndryshuar prej dekadash, mirëpo AI mund të sjellë informacione në mënyrë më fluide se metodat tradicionale.
“Gara sapo ka nisur sot, dhe ne do të vazhdojmë të lëvizim akoma më shpejt. Është shumë e rëndësishme që ne të argëtohemi duke sjellë shërbime invoative në search.”
Kompania shfaqi disa pamje të ndryshme të eksperiencës në “Bing-un e ri” duke treguar se punonte në disa konfigurime. Në një nga këto pamje dukeshin rezultatet normale të kërkimit në anën e majtë të ekranit, ndërkohë që djathtas shfaqej chatbot me përgjigjen e tij. Një tjetër mundësi është dhe komunikimi direkt me Bing chatbot, që ka një ndërfaqje të ngjashme me ChatGPT.
Ju mund të kërkoni në Bing chatbot për receta të reja, këshilla udhëtimi, madje të organizoni një intenerar udhëtimi për 5 ditë në Mexico City.
Ju mund të regjistroheni në këtë waitlist për të aksesuar shërbimin e ri nga Bing.