Apple ka vendosur që t’i ndalojë punonjësve përdorimin e ChatGPT dhe mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale pasi është momentalisht duke krijuar vetë një teknologji të tillë, sipas dokumenteve të zbuluara nga The Wall Street Journal.
Apple është e shqetësuar se punonjësit që ndërveprojnë me këto programe mund të publikojnë informacione konfidenciale të kompanisë. Për të njejtën arsye kjo kompani ka ndaluar dhe përdorimin e Copilot (nën pronësinë e Microsoft), që automatizon shkrimin e një kodi për software.
Kur njerëzit përdorin ChatGPT, që të gjitha të dhënat e regjistruara i dërgohen zhvilluesve dhe përdoren si material për të bërë që inteligjenca artificiale të mësojë vazhdimisht aftësi të reja. Në disa raste ka ndodhur që punonjësit të përmbledhin materiale komfidenciale në ChatGPT, duke bërë që këto materiale të jenë lehtësisht të aksesueshme nga punonjësit në OpenAI.
Megjithatë një zëdhënës i OpenAI tregoi se kompania ka prezantuar një shërbim të ri ku përdoruesit mund të ndalojnë ruajtjen e historisë në chat, duke bllokuar kështu mundësinë e trajnimit të chatbot me këtë përmbajtje (duhet theksuar se kjo histori ruhet për 30 ditë dhe më pas fshihet automatikisht).
Apple është një kompani që njihet për ruajtjen rigoroze të sigurisë për të mbrojtur kompaninë nga publikimi i hershëm i informacioneve sekrete, si përshembull mbi teknologjitë e reja që po zhvillohen në kompani.