Viti i kaluar regjistroi një rekord të ri për sa i përket gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, sidomos për energjinë e gjeneruar nga era. Bota instaloi mullinj ere me kapacitet prodhimi 116 gigavat në vitin 2023, sipas Raportit të fundit Global Wind nga shoqata tregtare e industrisë, Këshilli Global i Energjisë së Erës (GËEC). Kjo është një rritje prej 50% nga viti 2022 duke e bërë atë vitin më të mirë për projektet e reja të mullinjve të erës.
Cilat vende fuqizohen tërësisht nga burimet e rinovueshme?
Shtatë vende tani prodhojnë të gjithë energjinë e tyre të konsumuar nga burime të rinovueshme, sipas shifrave nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA). Më shumë se 99.7% e energjisë elektrike në Shqipëri, Butan, Etiopi, Islandë, Nepal, Paraguaj dhe Republikën Demokratike të Kongos vjen nga energjia gjeotermale, ujore, diellore ose e erës.
Norvegjia u afrua me 98.38% të energjisë së saj që u gjenerua nga era, uji ose dielli, sipas të dhënave të përpiluara nga profesori i Universitetit të Stanfordit, Mark Jacobson. 40 vende të tjera siguruan të paktën gjysmën e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme në 2021 dhe 2022, duke përfshirë 11 shtete në Evropë. Të tjerët, si Gjermania apo Portugalia, janë të afta të punojnë me kapacitet 100% duke shfrytëzuar energjinë nga era, uji dhe dielli për një kohë të shkurtër.
Ndonëse shumë prej këtyre vendeve përdorin aktualisht një sasi të madhe të energjisë hidrike ose të energjisë së erës, ekspertët parashikojnë se dielli mund të marrë përsipër si një burim kryesor në të ardhmen e afërt. Teknologjia është përmirësuar dhe kostot po bien me shpejtësi.