OpenAI ka prezantuar ChatGPT Health, një produkt të ri që synon ta pozicionojë inteligjencën artificiale si një “aleat në kujdesin shëndetësor”. Ky funksion i ri është një seksion i veçantë brenda ChatGPT, i krijuar si një ambient më i sigurt dhe më i personalizuar për pyetje që lidhen me shëndetin, me histori bisede dhe memorie të ndarë nga pjesa tjetër e aplikacionit.
ChatGPT Health u lejon përdoruesve të lidhin të dhëna personale shëndetësore dhe aplikacione mirëqenieje, si Apple Health, MyFitnessPal, Weight Watchers, Peloton dhe Function, si edhe të ngarkojnë kartela mjekësore. Qëllimi është që përgjigjet të jenë më të sakta dhe të bazuara në të dhëna reale, për shembull analiza të rezultateve laboratorike, përmbledhje vizitash mjekësore, zakone ushqimore, aktivitet fizik, gjumë dhe histori klinike. Për integrimin e kartelave mjekësore, OpenAI ka bashkëpunuar me b.well, e cila ka akses në rreth 2.2 milionë ofrues shëndetësorë. Aktualisht, produkti është në fazë beta dhe kërkon regjistrim në listë pritjeje, por pritet të hapet gradualisht për të gjithë përdoruesit, pa dallim abonimi.

OpenAI thekson se ChatGPT Health nuk është menduar për diagnozë apo trajtim, por për ndihmë informative: të kuptuarit e analizave, përgatitjen për vizita te mjeku, këshilla për dietë dhe aktivitet fizik, apo sqarime mbi opsione sigurimi shëndetësor. Kjo vjen në një kontekst ku mbi 230 milionë njerëz në botë i drejtojnë çdo javë ChatGPT-së pyetje për shëndetin dhe mirëqenien, shpesh jashtë orareve normale të klinikave.
Megjithatë, iniciativa shoqërohet me shqetësime. Raste të mëparshme kanë treguar rreziqe nga këshillat e pasakta shëndetësore të AI, si edhe mundësinë e shtimit të ankthit shëndetësor. OpenAI thotë se ka punuar me mbi 260 mjekë për të përmirësuar përgjigjet dhe për të shmangur alarmizmin, duke orientuar përdoruesit drejt sistemit shëndetësor kur nevojitet. Sa i përket privatësisë, kompania premton mbrojtje të shtuar të të dhënave, megjithëse pranon se në raste ligjore apo emergjente, informacioni mund të kërkohet nga autoritetet.

