Hapësira e ekranit është një luks për çdo gamer, por jo gjithmonë një mundësi praktike, sidomos për ata që luajnë në lëvizje. Me syzet e reja ROG XREAL R1, ASUS ROG synon ta zgjidhë këtë problem duke sjellë një ekran virtual gjigant në një formë jashtëzakonisht kompakte. Mjafton t’i veshësh syzet dhe përpara syve shfaqet një monitor virtual gati për lojëra, filma apo punë.
ROG XREAL R1 prezantohen si syzet e para gaming në botë me ekran micro-OLED FHD dhe frekuencë rifreskimi 240Hz. Kjo i bën ato të përshtatshme si për lojëra AAA me grafikë intensive, ashtu edhe për tituj kompetitivë që kërkojnë lëvizje ultra të buta dhe vonesë minimale. Pamja plotësohet nga një fushë shikimi 57 gradë, e cila krijon ndjesinë e një ekrani virtual prej rreth 171 inçësh, të parë nga katër metra larg.
Syzet ofrojnë dy mënyra përdorimi: një ekran virtual që ndjek lëvizjet e kokës dhe “Anchor Mode”, i cili e fikson ekranin në një pozicion të caktuar virtual, duke e bërë përvojën më të ngjashme me një monitor tradicional. Kjo funksionon pa nevojën e softuerëve shtesë, falë teknologjisë së integruar 3D depth of field. Ndriçimi përshtatet automatikisht sipas ambientit, por mund të rregullohet edhe manualisht.

Në aspektin audio, ROG XREAL R1 përfshijnë teknologjinë “Sound by Bose”, duke ofruar një përvojë cilësore tingulli për lojëra, filma apo muzikë. Syzet janë të lehta për t’u integruar në ekosistemin ROG, qoftë me pajisje portative si ROG Xbox Ally X, qoftë me PC apo konsola në shtëpi, falë ROG Control Dock me porta HDMI dhe DisplayPort.
Me XREAL R1, ROG synon të hapë një kapitull të ri në botën e video-lojërave, duke e kthyer çdo ambient në një ekran të madh virtual dhe duke ripërcaktuar mënyrën se si përjetohet loja moderne.

