OpenAI ka vendosur të blejë domenin chat.com, të cilin për momentin po e shfrytëzon si një tjetër link për të aksesuar shërbimet e chatbot-it ChatGPT. Kjo gjë u bë e ditur përmes një postimi nga vetë CEO i kompanisë, Sam Altman, në rrjetin social X.
Postimi i Altman ka marrë tashmë mbi 3 milionë shikime dhe gati 15 mijë pëlqime. Blerja e domenit ka të ngjarë të jetë pjesë e një përpjekjeje ribrandimi në të ardhmen. Pronari i mëparshëm i domenit rezultoi të ishte Dharmesh Shah, themelues dhe CTO i kompanisë softuerike HubSpot. Shah e njoftoi shitjen e chat.com nëpërmjet një postimi në X dhe LinkedIn.
Në postimin e tij, ai detajoi se si e kishte blerë domenin për 15.5 milionë dollarë në fillim të këtij viti dhe ia shiti më vonë një blerësi të pazbuluar (në atë kohë). “Epo, në një tweet me 8 karaktere, Sam Altman, CEO i OpenAI zbuloi se ata ishin blerësit,” shkroi ai. “Nëse vizitoni faqen e internetit tani, ajo ju drejton në ChatGPT.”
Nëse ju jeni kuriozë për çmimin që OpenAI ka paguar për të blerë këtë domen, një gjë e tillë nuk është bërë ende e ditur, megjithatë Dharmesh përdori një gjuhë të koduar për të treguar se ekziston mundësia që ai të mos ketë përfituar shumë nga kjo shitje.
Megjithatë, besohet se me shitjen e chat.com ai u kompensua me aksione të OpenAI, pasi në postimin e tij lexohen disa prompts si “ai gjithmonë ka dashur të zotërojë aksione të OpenAI dhe se nuk ka nevojë për paratë që vijnë nga shitja e një domeni”.