CEO i OpenAI, Sam Altman tregon se ChatGPT mund të largohet nga Bashkimi Evropian nëse nuk arrin të përshtatet me ligjet e planifikuara për rregullimin e sistemeve të inteligjencës artificiale. Legjislacionet e planifikuara nga BE mund të jenë të parat në botë të cilat vendosin rregulla specifike për AI.
Në BE mund të jetë e detyrueshme për sistemet që të ofrojnë informacione mbi materialet me të drejtat e autorit që janë përdorur për të trajnuar këto modele në krijimin e teksteve apo imazheve. “Drafti aktual i projektligjit të BE për inteligjencën artificial do të ishte një rregullim i tepërt.” tha Altman. “Megjithatë ne kemi dëgjuar se ai do të tërhiqet.”
Shumë nga industritë krijuese akuzojnë kompanitë AI se po përdorin punën e artistëve, muzikantëve dhe aktorëve për të trajnuar sistemet të cilat imitojnë punën e tyre. Mirëpo Altman është i shqetësuar se do të ishte teknikisht e pamundur që OpenAI të përshtatet me disa nga pikat e projektligjit të planifikuar nga BE mbi sigurinë dhe transparencën.
Përgjatë një eventi në University College London, Altman shtoi se ai ishte optimist se AI do të krijojë më tepër vende pune dhe do të reduktojë pabarazinë. Ai takoi gjithashtu kryeministrin Rishi Sunak si dhe drejtuesit e kompanive AI DeepMind dhe Anthropic për të diskutuar rreziqet që vijnë nga këto teknologji, që nga keqinformimi e deri tek cënimi i sigurisë kombëtare.