Vdekja dhe taksat konsiderohen të vetmet gjëra të pashmangshme në jetë – por sipas disa futuristëve, kjo mund të mos jetë e vërtetë për shumë gjatë. Një ide gjithnjë e më e përfolur në botën e teknologjisë është ajo e “shpejtësisë së largimit nga vdekja”. Ajo nënkupton një pikë në të ardhmen kur përparimet mjekësore do të zgjasin jetën më shpejt sesa njerëzit plaken – pra, për çdo vit që kalon, jetëgjatësia do të rritet me më shumë se një vit.
Një nga mbështetësit më të njohur të këtij koncepti është Ray Kurzweil, ish-inxhinier në Google dhe futurist i njohur për parashikimet e tij mbi inteligjencën artificiale. Në një intervistë për Bessemer Venture Partners, ai deklaroi se njerëzimi mund ta arrijë këtë pikë deri në vitin 2029, falë ritmit gjithnjë e më të shpejtë të zhvillimeve mjekësore. Kurzweil përmendi shembullin e vaksinës kundër COVID-19, e cila u zhvillua brenda pak muajsh falë teknologjisë së sekuencimit gjenetik dhe simulimeve digjitale. Sipas tij, “biologjia e simuluar” dhe mjekësia e personalizuar do të revolucionarizojnë mënyrën se si luftohen sëmundjet.

Megjithatë, arritja e kësaj “shpejtësie” nuk nënkupton pavdekshmërinë. Kurzweil thekson se jeta mbetet e paparashikueshme — aksidentet, sëmundjet e rastësishme si kanceri dhe faktorët mjedisorë mbeten jashtë kontrollit njerëzor. Për më tepër, qasja në teknologjitë më të avancuara mjekësore nuk është universale. Edhe sot, sëmundje të trajtueshme si tuberkulozi vazhdojnë të marrin miliona jetë çdo vit.
Kurzweil ka një histori të gjatë parashikimesh të sakta — nga shpikja e laptopëve dhe telefonave inteligjentë te zhvillimi i cloud computing — por jo çdo parashikim i tij është realizuar. Ideja e “longevity escape velocity” mbetet për momentin një teori intriguese, që ndonëse ngjall shpresë, është ende larg nga realiteti.

