Humane, një startup pesë-vjeçar i inteligjencës artificiale i themeluar nga ish-dizenjuesit e Apple, Imran Chaudhri dhe Bethany Bongiorno, prezantoi produktin e parë të enjten – një pajisje prej $699 që mund ta mbani në xhaketë.
Humane AI Pin është krijuar për të zëvendësuar telefonin tuaj inteligjent, duke i lejuar përdoruesit të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të kërkojnë informacione përmes kontrolleve zanore. Ai gjithashtu ka një ekran lazer, duke e kthyer pëllëmbën tuaj në një mini ekran që mund të tregojë kohën, datën ose atë që është afër.
“Nuk ka fjalë që e aktivizojnë pajisjen, prandaj ajo nuk është gjithmonë duke dëgjuar ose gjithmonë duke regjistruar fjalët tuaja,” tha Chaudhri në fillim të një video 10-minutëshe të prezantimit në faqen e internetit të kompanisë. “Në fakt, nuk bën asgjë derisa të angazhoheni me të, dhe angazhimi juaj vjen përmes zërit, prekjes, gjestit ose ekranit të bojës lazer.”
Përveç kostos fillestare të pajisjes, klientët do të duhet të paguajnë një abonim mujor prej $24 në T-Mobile, tregoi kompania. Pajisja do të përdorë një numër telefoni të veçantë, dhe nuk ka nevojë që të lidhet me një smartphone.
Humane AI Pin ka një altoparlant dhe kamerë të integruar dhe një dritë pulson kur ato funksione janë të aktivizuara. Prekja e dyfishtë e pajisjes shkrep një foto ose video, e cila mund të shikohet në aplikacionin e ëeb-it të Humane. Përveç dërgimit dhe marrjes së teksteve, pajisja mund të përkthejë bisedat e folura nga spanjishtja në anglisht dhe anasjelltas në kohë reale, sipas demonstrimit.
Humane tha se do të fillojë të marrjen e porosive për produktin AI në 16 nëntor.