Njerëzit sot po bëjnë më shumë se kurrë më parë tatuazhe në trupin e tyre, por studime të reja po ngrenë pikëpyetje mbi rreziqet e mundshme afatgjata për shëndetin, përfshirë lidhjen e tyre me disa lloje kanceri. Sipas një studimi të publikuar në European Journal of Public Health, rreth 13–21% e popullsisë në Evropën Perëndimore kanë të paktën një tatuazh. Megjithatë, pavarësisht popullaritetit të tyre, dihet relativisht pak për efektet shëndetësore afatgjata të bojës së tatuazheve.
Studimet e mëparshme kanë treguar se boja e tatuazheve mund të grumbullohet në nyjet limfatike, duke shkaktuar inflamacion dhe, në raste të rralla, limfomë, një lloj kanceri i gjakut. Një studim i ri i vitit 2025 nga Universiteti i Danimarkës Jugore sugjeron se personat me tatuazhe kanë rrezik më të lartë për kancer të lëkurës dhe limfomë. Duke analizuar binjakë, studiuesit zbuluan se ata me tatuazhe kishin gati katër herë më shumë rrezik për kancer të lëkurës. Gjithashtu, madhësia e tatuazhit duket se luan rol, kutatuazhet më të mëdha se pëllëmba e dorës lidhen me rrezik më të lartë.

Megjithatë, autorët theksojnë se këto rezultate janë ende në faza të hershme dhe ndikohen nga shumë faktorë si lloji i bojës, vendndodhja e tatuazhit, nënllojet e kancerit dhe faktorët gjenetikë apo mjedisorë. Për këtë arsye, nevojiten studime më të mëdha dhe afatgjata, si edhe kërkime mbi mekanizmat biologjikë që mund të shpjegojnë këto lidhje.
Aktualisht nuk ka prova të qarta që tatuazhet shkaktojnë kancer, por ekzistojnë rreziqe të tjera, si infeksionet dhe përbërësit potencialisht të dëmshëm të bojërave. Disa prej tyre mund të përmbajnë metale të rënda si nikeli, kromi apo plumbi. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa për të kufizuar substancat e rrezikshme në bojërat e tatuazheve, por rregullimi ndryshon nga vendi në vend.
Tatuazhet konsiderohen përgjithësisht të sigurta kur bëhen në kushte higjienike, por shkenca ende nuk ka përgjigje përfundimtare mbi rreziqet afatgjata. Informimi dhe kujdesi mbeten thelbësorë.

