Gjatë kohëve të fundit kemi parë se njerëz të ndryshëm kanë tentuar të regjistrojnë filma të plotë vetëm nëpërmjet kameras së smartphone-ve. Në shumicën e rasteve smartphone-t e parapëlqyer për regjistrimin e skenave kanë qenë iPhone-t.
Me sa duket kjo ide e ka tërhequr dhe regjizorin që ka fituar disa çmime në Academy Award, Charlie Kaufman, por kësaj here ai ka vendosur të përdorë një Samsung Galaxy S22 Ultra për të xhiruar skenat e përdorura në filmin e tij.
Filmi i titulluar “Jackals and Fireflies” duket se flet për një grua e cila po kalon një moment që po ndryshon jetën e saj. Vetë filmi shfaq këtë personazh në disa plane të ndryshme, ndërkohë që në sfond po luhet një muzikë e qetë në piano.
Trailer-i i këtij filmi është publikuar tashmë në YouTube dhe ju mund të krijoni një ide paraprake rreth ngjarjeve që do të ndodhin në film. Në këtë trailer nuk tregohet asgjë e jashtëzakonshme, pasi ndoshta regjizori nuk dëshiron të zbulojë shumë rreth filmit të tij të ri.
Nëse nuk do ta kishit lexuar më parë këtë artikull, ndoshta nuk do ta çonit nëpër mend se filmi është xhiruar nga një smartphone. Megjithatë, nëse do të tregoheshit shumë të kujdesshëm, do të vinit re disa hije të zeza gjatë skenave me ndriçim të ulët.
Gjithsesi duhet të theksojmë se është me të vërtetë një arritje e madhe që një regjizor kaq i njohur të krijojë një film duke përdorur si kamera kryesore ato të Samsung Galaxy S22 Ultra.