Biznesmeni britanik Richard Branson dhe Departamenti i Transportit i Britanisë organizuan një fluturim duke kaluar Oqeanin Atlantik me një avion duke përdorur si karburant vajin e gatimit dhe mbetje të tjera organike.
Aeroplani i pasagjerëve Boeing 787 fluturoi nga Londra në Nju Jork të martën duke përdorur atë që organizatorët e quajtën karburant të qëndrueshëm të avionëve. Fluturimi u mundësua nga kompania Virgin Atlantic, e cila tha se do të përdorte një karburant të bërë nga yndyrnat shtazore që përdoren në gatim. Departamenti i transportit shpenzoi mbi 1.2 milionë dollarë për fluturimin.
Vetë Branson ishte në aeroplan, së bashku me gazetarë, inxhinierë dhe zyrtarë qeveritarë teksa po kalonte Oqeanin Atlantik. “Bota gjithmonë do të supozojë se diçka nuk mund të bëhet, derisa ju ta bëni atë”, tha Branson.
Departamenti i transportit e quajti udhëtimin “një hap të madh drejt fluturimeve me sa më pak emëtime“. Disa zyrtarë në industrinë ndërkombëtare të udhëtimeve ajrore thonë se shpresojnë që kompanitë e tyre të arrijnë atë që quhet emëtimet “zero neto” deri në vitin 2050.
“Zero neto” është një ekuilibër i arritur midis sasisë së gazrave të karbonit të çliruara në atmosferë dhe kapjes së tyre nga atmosfera. Megjithatë, organizatorët pranojnë se lloji i ri i karburantit i përdorur në udhëtimin e së martës nuk do të jetë gjerësisht i disponueshëm së shpejti.