Ditën e martë Apple ka paditur NSO Group, një kompani e bazuar në Izrael që i shiste një software agjensive të qeverisë dhe organeve ligjzbatuese, që i lejonte ato të hakonin iPhone-t dhe të lexonin të dhënat e përdoruesve që gjendeshin në to.
Më herët gjatë këtij viti, Amnesty International tha se ato kishin zbuluar se versionet e fundit të iPhone-ve që përdoreshin nga gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut ishin infektuar me një malware të quajtur Pegasus nga kompania NSO.
Tashmë Apple po kërkon marrjen e një vendimi gjyqësor që ndalon NSO Group të përdorë software-in e Apple apo pajisjet e tyre. Kompania kërkon gjithashtu një dëmshpërblim prej $75,000.
“Hapat që Apple po dërmerr ditën e sotme japin një mesazh të qartë: në një shoqëri të lirë është e papranueshme që të përdoret një software i financuar nga shteti për spiunimin e smartphone-ve të qytetarëve.” tha drejtuesi i sigurisë në Apple, Ivan Krstic përmes një tweet-i.
Software-i i NSO Group bën të mundur sulmimin, duke përfshirë këtu dhe sulmin nga qeveritë të cilët paguajnë me miliona dollarë për të targetuar një numër të vogël përdoruesish që kanë informacione të interesit të veçantë.
Përdoruesit e Pegasus mund të survejojnë aktivitetet e përdoruesit të iPhone, të grumbullojnë email-et, mesazhet dhe historinë e kërkimeve në browser, si dhe të aksesojnë kameran dhe mikrofonin e iPhone-ve.