Netflix po bën një ndryshim në mënyrën se si funksionon platforma e saj dhe shumë përdorues po e zbulojnë këtë përmes prompt-eve të papritura për login dhe hapave shtesë gjatë hyrjes. Sipas raportimeve të fundit, Netflix ka nisur të kërkojë që pothuajse çdo profil brenda një llogarie të lidhet me një adresë unike email-i, duke përjashtuar vetëm profilet për fëmijë.
Për vite me radhë, profilet e Netflix ishin thjesht “hapësira” brenda një abonimi të vetem, pa kredenciale të veçanta, pa email, dhe me kalim të shpejtë nga një përdorues te tjetri. Ky model tani po zëvendësohet gradualisht nga një sistem ku çdo profil sillet si një mini-llogari më vete. Një zëdhënës i kompanisë tregoi për Ars Technica se përditësimi ka nisur të shpërndahet që më 15 qershor dhe do të shtrihet te gjithnjë e më shumë përdorues.

Nga njëra anë, ky ndryshim sjell disa avantazhe, pasi çdo përdorues ka login-in e vet, mund të hyjë më lehtë nga pajisje të ndryshme, të përdorë autentikim me dy faktorë dhe të mbajë të personalizuara cilësimet e gjuhës apo rekomandimeve. Nga ana tjetër, ky hap përputhet qartë me strategjinë e Netflix për të shtrënguar kontrollin ndaj ndarjes së fjalëkalimeve.
Por jo të gjithë janë të kënaqur. Familjet që përdorin një televizor të përbashkët raportojnë konfuzion dhe bezdi nga kërkesa për email-e të shumta. Të tjerë shprehin shqetësime për privatësinë, duke theksuar se adresat e email-it mund të përdoren për gjurmim apo marketing, diçka që përmendet edhe në politikat e privatësisë së kompanisë.
Ndryshimi ka prekur edhe përdorime “kreative” të profileve. Disa abonentë i përdornin ato për organizim përmbajtjeje, jo për persona të ndryshëm, një praktikë e diskutuar gjerësisht në Reddit, e cila tani kërkon email-e shtesë dhe më shumë komplikime.

