Stacionet e radiove në Siri kanë nisur të transmetojnë një ninullë të re çdo natë për të ndihuar fëmijët e traumatizuar nga lufta në të gjithë shtetin që të flenë qetësisht. Projekti “The Frequencies of Peace” është rezultati i punës së kryer nga neuroshkencëtarët në bashkëpunim me aplikacionin e terapisë muzikore Spiritune.
Ghailaa Chaker, një këngëtare siriane që jeton në Dubai, ka shkruajtur dhe ka regjistruar ninulla të ndryshme në gjuhën arabe. 24 vjeçarja merrej më parë me shkrimin e këngëve dhe nuk kishte shkruar asnjëherë ninulla, mirëpo tha se ky projekt e tërhoqi shumë.
“Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mend shkrimi i një ninulle. Mirëpo gjëja që ndikoi më shumë tek unë ishte qëllimi i tyre, ndihmimi i fëmijëve sirianë të traumatizuar.” tregon këngëtarja.
Kjo nismë kombinon terapinë muzikore me studimet shkencore të kryera nga neuroshkencëtarët në New York University dhe Stanford University, duke identifikuar karakteristikat muzikore që nxisin emocionet në tru për të përmirësuar gjumin.
“Ishte një bashkëpunim i vështirë me neuroshkencëtarët. Ne po punonim në frekuenca specifike për këto ninulla pasi dëshironim që ato të ishin mjaft të qeta për fëmijët.” shtoi Chaker.
Lufta civile në Siri nisi në vitin 2011, duke lënë shumë shtetas në kushte mjaft të vështira për gjetjen e ushqimeve, ujit apo banesave. Sipas UNICEF, janë mbi 5 milionë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë në përballimin e efekteve të luftës.