Forumi i 9-të Kombëtar “Të bashkuar për Sigurinë në hapësirën Kibernetike” i zhvilluar nga Platforma Kombëtare për Sigurinë në Internet, iSIGURT.al, prezantoi disa rekomandime të reja dhe gjetje të bëra nga dy raporte të reja.
Bëhet fjalë për Raportin e përvitshëm të incidenteve të fëmijëve në Internet dhe Raportin “Të Braktisura” – Raport Kombëtar mbi Gjuhën e Urrejtjes online ndaj vajzave dhe grave në Shqipëri për periudhën 2018-2023.
ISIGURT.al tregon në raportin e parë se është vënë re një rritje me 160% e incidenteve të raportuara nga dhe për fëmijët në këtë platformë, 62% e të cilave janë bërë nga vajzat. Raportimi 2 herë më i madh nga vajzat se sa nga djemtë i incidenteve online është gjithashtu një risi.
Raportuesit kryesor të këtyre incidenteve janë të grupmoshës 15-18 vjeç, të ndjekur më pas nga grupmoshat 18-30 vjeç si dhe 11-14 vjeç. Për sa i përket incidenteve online, shumica e tyre vijnë nga rrjetet sociale si TikTok apo Instagram, nga ku raportohen 47% dhe 27% të rasteve.
Për fat të keq bullizimi (35%) është forma më e raportuar e incidenteve nga fëmijët e adoleshentët, që ndiqet më pas nga gjuha e urrejtjes (21%) dhe shantazhet (15%). Në vendin e katërt renditet dhuna, ngacmimet dhe shfrytëzimet seksuale online.
Nga ana tjetër, Raporti mbi Gjuhën e Urrejtjes ndaj Vajzave dhe Grave në Shqipëri tregoi se pothuajse gjysma e incidenteve (46%) janë raportuar nga vajzat dhe gratë. Pjesa kryesore e raportimeve vijnë nga Shqipëria e Mesme (Tirana, Durrësi, Fieri), ndërkohë që raportimi në pjesën veriore mbetet i ulët.
Problemi kryesor mbetet gjuha e urrejtjes e drejtuar ndaj grave dhe vajzave, i ndjekur nga kërcënimet dhe bullizimi që përdoret për qëllime të nxitjes së urrejtjes. Ka patur dhe 11 raste ku materialet me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve janë përdorur për të nixtur urrejtjen ndaj vajzave apo grave të reja. Pornografia hakmarrëse është përdorur vetëm në një rast ndaj një personazhi të njohur publik.