Kampionati Botëror UIM F1H2O është seria kryesore e garave ndërkombëtare në ujë që tërheq drejtuesit më të mirë të motorëve të ujit dhe skafeve në botë, të cilët lundrojnë në shpejtësi mbi 240 km/h në vijë të drejtë.
Vitin e ardhshëm, pjesë e këtij kampionati do të jetë dhe Shqipëria, me garat që do të zhvillohen nga datat 1-7 korrik në liqenin e Ohrit në Pogradec. Kris Spaho, përfaqësues i F1 në Shqipëri tregoi për Top Channel se në këtë ngjarje të madhe sportive dhe turistike do të marrin pjesë më shumë se 600 persona.
Në 7 ditët e garave do të marrin pjesë pilotët më të mirë të 43 ekipeve të njohura nga shumë vende të botës, të cilët do të garojnë në dy disiplina, atë të skafeve dhe motorëve të ujit. Më parë, gara të tilla janë zhvilluar në disa vende të botës, si në Itali, Britani apo Abu Dhabi.
Përfaqësuesit e këtij kompeticioni arritën të firmosnin një marrëveshje me kryetarin e bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli. Për kryebashkiakun Ilir Xhakolli kjo nuk është një ngjarje e madhe vetëm për Pogradecin, por për të gjithë Shqipërinë. Ai shtoi se do të bëhet gjithçka që do të jetë e nevojshme për të ofruar kushtet e nevojshme të organizimit të një eventi të tillë global.
Është një event historik që realizohet për herë të parë në vendin tonë, dhe kam besimin që Pogradeci ishte dhe sipas insistimeve të mia qyteti më i bukur për të treguar që Shqipëria ka potencialin e madh për të realizuar evente të këtyre niveleve. “
Tha përfaqësuesi i F1 në Shqipëri, Kris Spaho për Top Channel.
Për akomodimin e sportistëve, stafit të tyre, turistëve që pritet të vijnë nga shumë vende të botës, bashkia e Pogradecit ka nënshkruar marrëveshje akomodimi me shumë operatorë turistikë në juglindje të vendit si dhe Ohër e Strugë.