Së shpejti do të mund të provoni vetë gjeneruesin text-to-video të fuqizuar nga inteligjenca artificiale e OpenAI. Në një intervistë me The Wall Street Journal, shefja e teknologjisë e OpenAI, Mira Murati thotë se Sora do të jetë në dispozicion të publikut “gjatë këtij viti” dhe se “mund të nevojiten dhe disa muaj“.
OpenAI publikoi pamjet e para të Sora në muajin shkurt, ku shikohej aftësia e inteligjencës artificiale për të gjeneruar skena hiperrealiste bazuar në një tekst të shkruar. Kompania e vuri mjetin në dispozicion vetëm për artistët vizualë, stilistët dhe krijuesit e filmave si fillim, por kjo nuk i ndaloi disa video të krijuara nga Sora të publikoheshin në platforma si X.
Përveç bërjes së mjetit të disponueshëm për publikun, Murati thotë se OpenAI ka plane për të integruar dhe audion, e cila ka potencialin t’i bëjë skenat edhe më realiste. Kompania gjithashtu dëshiron të lejojë përdoruesit të modifikojnë përmbajtjen në videot që prodhon Sora, pasi mjetet e AI nuk krijojnë gjithmonë imazhe të sakta.
“Ne po përpiqemi të kuptojmë se si ta përdorim këtë teknologji si një mjet me të cilin njerëzit mund të modifikojnë dhe krijojnë,” tregon Murati për Journal. Kur u pyet në lidhje me të dhënat që OpenAI përdorte për të trajnuar Sora, Murati nuk u bë shumë specifike dhe dukej se i shmangej pyetjes. “Unë nuk do të hyj në detajet e të dhënave që u përdorën, por ato ishin të dhëna publike ose të licencuara,” thotë ajo.
Murati gjithashtu thotë se nuk është e sigurt nëse ka përdorur video nga YouTube, Facebook dhe Instagram. Ajo vetëm konfirmoi për Journal se Sora përdor përmbajtje nga Shutterstock, me të cilën OpenAI ka një partneritet.
Murati tha gjithashtu për Journal se Sora është “shumë më e shtrenjtë” për t’u fuqizuar. OpenAI po përpiqet ta bëjë mjetin “të disponueshëm me kosto të ngjashme” me DALL-E, modelin text-to-image të AI të kompanisë, kur të publikohet.