Përdoruesit e Threads së shpejti do të aksesojnë një nga veçoritë më të kërkuara për rrjetin social të bazuar në tekst: një version për web.
Drejtuesi i Meta, Mark Zuckerberg ka njoftuar në aplikacion se në javët e ardhshme, Threads do të vijë me një version në web në mënyrë që njerëzit mund të përdorin për të platformën dhe në desktop. Një tjetër shërbim që do t’i shtohet platformës do të jetë dhe funksioni i kërkimit.
Për momentin postimet në Threads mund të shikohen dhe nga një desktop, por kur ju dëshironi të pëlqeni, të bëni repost apo reply do të shfaqet një kod QR që lidhet me aplikacionin. Në mënyrë të ngjashme, funksioni i kërkimit të Threads është aktualisht i kufizuar, pasi mund të shfaqë vetëm llogari të tjera dhe nuk mund të përdoret për të kërkuar postime të veçanta.
Meta prezantoi Threads në një kohë të përshtatshme, kur përdoruesit e X po tërhiqeshin nga ndryshimet e mëdha në platformën e njohur më parë si Twitter. Ai u bë i disponueshëm menjëherë pasi X kufizoi numrin e postimeve që përdoruesit mund të shohin në web/aplikacion për shkak të “niveleve ekstreme të grumbullimit të të dhënave dhe manipulimit të sistemit“.
Përdoruesit që nuk paguanin ishin më të prekurit dhe fillimisht u kufizuan në 600 postime në ditë. Njerëzit u mblodhën te Threads pasi doli, dhe platforma arriti lehtësisht 100 milionë përdorues në më pak se një javë. Megjithatë, Meta publikoi Threads pa një sërë veçorish që njerëzit kanë pritur nga një rrjet social si ai.
Angazhimi në Threads ka rënë nga ajo javë e parë e suksesshme, por veçoritë e reja që dalin mund t’i joshin ata adoptues të hershëm që të hedhin një vështrim dhe të bëhen përdorues aktivë.