Google po mbyll përfundimisht kapitullin e Manifest V2, një ndryshim që pritet të sjellë fundin e shumë bllokuesve të reklamave që përdoren ende nga miliona përdorues të Chrome. Kalimi drejt Manifest V3 ka qenë në zhvillim prej vitesh, por tani kompania po eliminon edhe mekanizmat e fundit që lejonin funksionimin e zgjerimeve të vjetra.
Sipas raportimeve të fundit, Google ka hequr mbështetjen për “ExtensionManifestV2Disabled” në Chromium, i cili shërbente si një rrugë alternative për të vazhduar përdorimin e zgjerimeve të bazuara në Manifest V2. Kjo do të prekë drejtpërdrejt mjete shumë të njohura si uBlock Origin, të cilat nuk janë ndërtuar mbi arkitekturën e re.
Një inxhinier i Google ka sqaruar se extensions Manifest V2 nuk lejohen më në asnjë version të mbështetur të Chrome. Sipas tij, vazhdimi i mbështetjes për këtë teknologji do të sillte kompleksitet shtesë, borxh teknik dhe rreziqe sigurie, pasi së fundmi janë identifikuar disa probleme që lidhen ekskluzivisht me këtë version të vjetër.
Ndryshimi nuk do të kufizohet vetëm te Chrome. Duke qenë se shfletues si Microsoft Edge dhe Opera përdorin të njëjtën bazë teknologjike, ekziston mundësia që edhe ata të ndjekin të njëjtën rrugë, megjithëse teorikisht mund të zgjedhin të vazhdojnë mbështetjen për Manifest V2.
Versioni Chrome 150, i cili pritet të publikohet gjatë këtij muaji, do të heqë mundësinë kryesore për përdorimin e extesions të vjetra. Ndërkohë, Chrome 151, i planifikuar për korrik 2026, do të eliminojë edhe elementët e fundit të lidhur me Manifest V2, duke shënuar fundin zyrtar të një epoke për ekosistemin e zgjerimeve në Chrome.

