Një mision i pazakontë dhe jashtëzakonisht ambicioz sapo ka nisur në hapësirë. NASA ka financuar një anije kozmike që synon të shpëtojë një teleskop në rënie nga një fund i pashmangshëm. Bëhet fjalë për Swift Observatory, një nga instrumentet më të rëndësishëm për studimin e shpërthimeve më energjike në Univers.
Swift, i lëshuar në vitin 2004, po humbet gradualisht lartësi për shkak të rritjes së aktivitetit diellor, i cili ka zgjeruar atmosferën e Tokës. Kjo krijon fërkim dhe e ngadalëson teleskopin, duke e tërhequr drejt Tokës. Nga një orbitë fillestare prej 600 km, Swift ka rënë tashmë në rreth 360 km, shumica e kësaj rënieje është arritur gjatë dy viteve të fundit.
Zgjidhja?
Një anije shpëtimi e quajtur LINK, e ndërtuar nga startup-i amerikan Katalyst Space Technologies. LINK është një robot me tre krahë, afërsisht sa një frigorifer, i pajisur me kamera, sensorë dhe motorë të vegjël manovrimi. Misioni u nis të premten me raketën Pegasus XL dhe konsiderohet “me rrezik të lartë”, siç thekson edhe shkencëtari Simeon Barber nga Open University.
Plani është që LINK t’i afrohet Swift-it, do ta skanojë nga të gjitha këndet dhe më pas do të tentojë ta kapë me tre krahët e tij, diçka që nuk është provuar kurrë më parë. Nëse gjithçka shkon sipas planit, anija do ta ngrejë ngadalë teleskopin drejt një orbite më të qëndrueshme, rreth 600 km mbi Tokë.
CEO i Katalyst, Ghonhee Lee, e quan këtë një nga misionet më ambicioze komerciale të shërbimit orbital ndonjëherë. Dhe nëse ky operacion historik ka sukses, pyetja e radhës është e pashmangshme: a do të jetë shpëtimi i Hubble Space Telescope misioni i ardhshëm?

