Google ka prezantuar këtë javë versionin e qëndrueshëm të Android 17 për pajisjet Pixel, duke sjellë jo vetëm përmirësime në dizajn dhe funksionalitete të reja, por edhe një nga përditësimet më të rëndësishme deri tani për Android Switch, mjetin që shërben për transferimin e të dhënave personale gjatë kalimit nga iPhone në Android.
Deri më sot, Android Switch ka mundësuar transferimin bazë të fotove, videove dhe disa të dhënave personale. Me Android 17, lista e të dhënave që mund të zhvendosen zgjerohet ndjeshëm, duke e bërë kalimin nga ekosistemi i Apple në atë të Google shumë më të lehtë. Risitë përfshijnë transferimin e historikut të thirrjeve, mesazheve iMessage (së bashku me media dhe sticker-a), mesazheve RCS të enkriptuara, kredencialeve Wi-Fi, fjalëkalimeve dhe passkey-ve, si dhe të dhënave brenda aplikacioneve, për aq kohë sa zhvilluesit i mbështesin ato.
Një tjetër element interesant është ruajtja e përvojës vizuale të përdoruesit. Android Switch tani mund të kopjojë strukturën e ekranit kryesor, shkurtoret, wallpaper-at, alarmet, dosjet dhe skedarët, madje edhe disa cilësime aksesueshmërie. Për përdoruesit që varen nga Apple Notes, tashmë mbështeten edhe bashkëngjitjet dhe etiketat, ndërsa transferimi i eSIM-ve është i mundur në varësi të operatorit.
Megjithatë, jo të gjitha këto funksione janë ende të disponueshme në pajisjet Samsung Galaxy që përdorin One UI 8.5, pasi ajo bazohet ende në Android 16. Pritet që këto përmirësime të vijnë më vonë përmes Samsung Smart Switch, ndoshta së bashku me One UI 9.0.

