Facebook po përgatit një tjetër lëvizje strategjike në betejën për vëmendjen e krijuesve të përmbajtjes. Platforma ka njoftuar se po e rikoncepton Creator Studio si një aplikacion të pavarur, të ndërtuar rreth inteligjencës artificiale, që synon të funksionojë si një “shoqërues AI” për krijuesit.
Ideja është e qartë, ta mbajë komunitetin krijues aktiv brenda ekosistemit të Meta, duke ulur varësinë nga mjete të palëve të treta si ChatGPT për ide, analiza performance apo strategji postimi. Aplikacioni i ri është aktualisht në testim me një grup të përzgjedhur krijuesish.
Në qendër të tij qëndron AI Creator Assistant, një asistent që analizon stilin e përmbajtjes, performancën, angazhimin e audiencës dhe objektivat e secilit krijues për të ofruar rekomandime të personalizuara. Pyetje si “Kur është koha më e mirë për të postuar?” apo “Çfarë po thonë njerëzit në komente?” marrin përgjigje të drejtpërdrejta, me mundësi thellimi për insight-e edhe më specifike.
Por Meta nuk ndalet këtu. Aplikacioni sjell edhe mjete të reja AI për menaxhimin e komenteve, duke identifikuar reagimet më të rëndësishme dhe duke sugjeruar përgjigje të shkruara në stilin personal të krijuesit. Natyrisht, gjithçka kalon fillimisht përmes aprovimit njerëzor, një përpjekje për të ruajtur autenticitetin.
Një tjetër funksion interesant është “daily priorities feed”, një feed i përditshëm që i tregon krijuesve çfarë ka më shumë rëndësi, që nga performanca e postimeve të fundit, te progresi drejt objektivave dhe komentet që kërkojnë vëmendje urgjente.

