Meta po teston edhe një herë durimin e përdoruesve të syzeve inteligjente, të cilët janë informuar se një nga funksionet më të spikatura, Conversation Focus, nuk do të jetë më plotësisht falas. Për ta përdorur këtë veçori për më shumë se tre orë në muaj, përdoruesit duhet të paguajnë $19.99 në kuadër të abonimit Meta One Premium.
Conversation Focus shfrytëzon mikrofonat e syzeve për të amplifikuar zërat e personave përballë, duke e bërë më të lehtë bisedën ballë për ballë edhe kur syzet lexojnë njoftime apo përdorin funksione të tjera AI. Sipas Meta, përdoruesit që arrijnë kufirin falas duhet të presin rifreskimin mujor ose të abonohen. Ndërkohë, funksione të tjera si përkthimi live dhe asistenti zanor do të mbeten falas.

Ky vendim vjen në vazhdën e planeve të Meta-s për të eksperimentuar me abonime “premium” në platformat e saj kryesore si Instagram, Facebook dhe WhatsApp. Kompania pranon se këto tarifa synojnë kryesisht “power users”, pra ata që kërkojnë përdorim më intensiv dhe përfitime shtesë si mbështetje premium për pajisjet.
Megjithatë, reagimet nuk kanë munguar. Disa përdorues e konsiderojnë të gabuar vendosjen e një veçorie me vlera të qarta aksesueshmërie pas një paywall-i, veçanërisht kur ajo u prezantua si inovacion kyç nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg.
Syzet inteligjente të zhvilluara në bashkëpunim me Ray-Ban janë aktualisht më të shiturat në treg, ndërsa konkurrentë si Apple dhe Snapchat po përgatisin rivalë të rinj. Megjithatë, suksesi shoqërohet edhe me polemika për privatësinë dhe kushtet e punës.

