Prej vitesh, Samsung Display ka shërbyer si laborator i së ardhmes për ekranet që palosen dy herë, që rrotullohen, që shtrihen dhe ndryshojnë formë si plastelinë dixhitale. Megjithatë, pavarësisht gjithë këtij arsenali futurist, Samsung nuk i ka integruar menjëherë këto teknologji në produktet e saj reale, duke përdorur vetëm ekranë OLED të palosshëm në smartphone-t aktualë. Kjo, sipas raportimeve të fundit, mund të ndryshojë shumë shpejt.
Një raport nga Money Today sugjeron se Samsung Display është në bisedime të avancuara për të furnizuar me ekranë OLED të rrotullueshëm divizionin Samsung MX, për një smartphone krejtësisht të ri që mund të debutojë në gjysmën e parë të vitit 2028. Nëse kjo rezulton e saktë, Samsung do ta prezantonte telefonin e saj të parë me ekran rollable pikërisht në vitin jubilar, 10-vjetorin e linjës së saj të famshme të telefonëve të palosshëm.
Por çfarë e bën këtë pajisje kaq interesante?
Sipas parashikimeve të kompanisë së kërkimit të tregut Omdia, telefoni do të vijë me një panel OLED 10-inç, raport 16:9 dhe densitet rreth 440 ppi. Me fjalë të tjera, një ekran që mund të shtrihet nga përmasa tipike e një smartphone-i në diçka shumë pranë një tableti të plotë.
Ky format i ri do të “shkrijë” kufirin mes telefonit dhe tabletit, duke e bërë pajisjen ideale për produktivitet, multitasking dhe konsum video. Në vend që të mbash dy pajisje të ndara, ideja është të kesh një të vetme që përshtatet sipas nevojës
Nëse Samsung arrin ta sjellë këtë teknologji në treg masiv, viti 2028 mund të shënojë fillimin e një epoke të re për smartphone-t.

