Apple vjen me një zgjidhje për të rritur kapacitetin e baterisë në pajisjet e saj pa nevojën për të zhvilluar një tip të ri teknologjie të baterive, por duke mbështjellë bateritë ekzistuese me një kasë metalike.
Bateritë e laptopit më parë ishin një bllok solid që gjendej në pjesën e pasme të pajisjes nën ekran. Në kohët e fundit janë përdorur më shumë bateritë polimer litiumi që vendoseshin në qeska alumini. Ato janë të preferuara pasi mund të prodhohen në forma të ndryshme duke u përshtatur në vendet e lira. Megjithatë, këto bateri kanë problemet e tyre.
Sipas raportimeve të 9to5Mac, Apple ka aplikuar për patentimin e “Metal Can Battery” që zgjidh problemin më të madh të baterive me qeska prej alumini. Në këtë aplikim tregohet se skajet e mbyllura të qeskave rezultojnë në material ekstra dhe për shkak të tensionit pozitiv kërkohet që sipërfaqja e jashtme e saj të izolohet nga sipërfaqet përçuese në pajisjen elektrike. Për të kryer këtë izolim duhet që qeska e baterisë të jetë më e vogël se hapësira e lirë në pajisje, që rezulton në shpërdorim të saj.
Zgjidhja e këtij problemi do të jetë zëvëndësimi i qeskave të aluminit me kasa metalike. Në këtë mënyrë bateria e brendshme do të jetë më e madhe duke mbushur vendet e pashfrytëzuara nga bateria e mëparshme. Si bonus, kjo kasë metalike ka dhe funksion mbrojtës për pajisjën. E vetmja anë negative do të jetë shtimi i peshës së laptopit.