Çdo përditësim madhor i iOS nga Apple sjell jo vetëm veçori të reja, por edhe fundin e mbështetjes për disa modele më të vjetra të iPhone. Sipas raportimeve të fundit, duket se radha mund t’i ketë ardhur serisë iPhone 11.
Informacioni vjen nga një rrjedhje jozyrtare e publikuar nga Instant Digital në Weibo. Sipas listës së tij, disa modele nuk përfshihen në pajisjet që pritet të mbështesin iOS 27 që pritet të lançohet më vonë gjatë këtij viti. Modelet që mungojnë janë:
- iPhone 11,
- iPhone 11 Pro,
- iPhone 11 Pro Max
- iPhone SE i gjeneratës së dytë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që këta telefona bëhen të papërdorshëm. Apple zakonisht vazhdon të ofrojë përditësime sigurie dhe rregullime të vogla edhe për versionet më të vjetra të iOS, duke garantuar një nivel bazë mbrojtjeje dhe stabiliteti.

Problemi kryesor për përdoruesit do të jetë mungesa e veçorive më të reja, ndryshimeve vizuale dhe përmirësimeve të avancuara që sjell versioni i fundit i sistemit operativ. Për ata që duan të qëndrojnë të përditësuar pa kaluar domosdoshmërisht te një flagship i shtrenjtë, Apple ka prezantuar së fundmi një model më ekonomik, iPhone 17e, i cili pritet të mbështetet me përditësime softuerike për shumë vite.
Në fund, vendimi varet nga nevojat e përdoruesit. iPhone 11 është ende i qëndrueshëm për përdorim të përditshëm, por për përvojën më të re të iOS, një përditësim i pajisjes mund të bëhet i pashmangshëm.

