Kë preferon, Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo? Sipas një studimi të ri, ky debat mund të zbulojë shumë më tepër sesa shijet sportive. Madje, edhe pikëpamjet e tua politike.
Një ekip studiuesish nga Nanyang Technological University ka anketuar mbi 10,600 persona në 26 vende të botës për të kuptuar lidhjen mes futbollit dhe ideologjisë politike. Rezultatet janë surprizuese: ata që preferojnë Lionel Messi priren të jenë më liberalë, ndërsa fansat e Cristiano Ronaldo identifikohen më shpesh si konservatorë.

Sipas drejtuesit të studimit, Dr. Saifuddin Ahmed, kjo lidhet me imazhin publik që secili lojtar projekton. Messi perceptohet si i qetë, i përulur dhe i orientuar drejt ekipit, ndërsa Ronaldo si ambicioz, individualist dhe i hapur në shfaqjen e suksesit personal. Me pak fjalë, njerëzit priren të identifikohen me figurën që reflekton më mirë vlerat e tyre.
Interesante është se kjo lidhje është më e fortë te të rinjtë dhe dobësohet ndjeshëm me moshën. Studimi gjeti gjithashtu korrelacione mes preferencës për lojtarin, vetëvlerësimit dhe zakoneve mediatike. Personat që informohen më shumë nga TikTok dhe Instagram kanë më shumë gjasa të preferojnë Ronaldon, ndoshta për shkak të pranisë së tij dominuese dhe imazhit të kuruar në këto platforma.

