Pas dekadash zhvillimi, monitorimi i jetës së egër po hyn më në fund në një epokë të re falë teknologjisë hapësinore. Një satelit i ri, i quajtur Icarus, po u mundëson shkencëtarëve të kuptojnë “sinjalet e panikut” të fshehura në sjelljen e kafshëve, me synimin për të shpëtuar specie të rrezikuara si çitat, rinocerontët dhe elefantët.

Në rezervatin Okambara në Namibi, studiuesit kanë simuluar skenarë gjuetie për të kuptuar se si reagojnë kafshët ndaj pranisë njerëzore. Duke analizuar lëvizjet e tyre, ikjen masive ose qëndrimet vrojtuese, shkencëtarët po ndërtojnë modele sjelljeje që mund të përdoren për të identifikuar në kohë reale praninë e gjuetarëve të paligjshëm. Këto të dhëna mblidhen përmes GPS të vegjël, të vendosur në kafshë, dhe transmetohen nga toka ose drejtpërdrejt nga hapësira.

Projekti udhëhiqet nga Martin Wikelski dhe Max Planck Institute of Animal Behavior, me një vizion ambicioz që deri në vitin 2030, të pajisen me sensorë rreth 100,000 kafshë në mbarë botën. Ideja është që vetë kafshët të shndërrohen në “rojtarë” të ekosistemit, duke paralajmëruar shkencëtarët kur diçka jonormale ndodh.
Teknologjia pas këtyre sensorëve është bërë jashtëzakonisht e avancuar. Tagët modernë mund të matin jo vetëm pozicionin, por edhe rrahjet e zemrës, temperaturën e trupit dhe aktivitetin, ndërsa algoritme të thjeshta dallojnë sjelljen normale nga ajo e rrezikut apo sëmundjes. Kjo ka dhënë rezultate konkrete, si në Kruger National Park, ku dhjetëra qen të egër janë shpëtuar nga kurthet.

Me lançimin e satelitëve të rinj të Icarus, projekti synon të krijojë një “Internet të Kafshëve”, një rrjet global paralajmërimesh në kohë reale. Kjo mund të ndryshojë rrënjësisht mbrojtjen e jetës së egër, veçanërisht në zona të mëdha dhe të pambikëqyrura si Baseni i Kongos apo Amazona.

