NASA ka filluar të publikojë imazhet e para të realizuara nga ekuipazhi i misionit Artemis II gjatë udhëtimit të tyre drejt Hënës. Një pjesë e këtyre fotografive janë bërë me iPhone 17 Pro Max, duke shënuar përdorimin e një smartphone-i modern në një mision të tillë historik.

Para nisjes së misionit, NASA kishte konfirmuar se astronautët do të lejoheshin të përdornin iPhone për të dokumentuar udhëtimin. Fotot e publikuara në galerinë “Journey to the Moon” përfshijnë pamje të ndryshme, të realizuara jo vetëm me iPhone, por edhe me pajisje të tjera si një aparat DSLR i vitit 2016 dhe kamera më të vjetra GoPro. Megjithatë, për shumicën e fotove brenda kabinës nuk ka të dhëna të detajuara (metadata), ndaj nuk dihet saktësisht se me cilën pajisje janë realizuar, edhe pse besohet se shumë prej tyre janë bërë me iPhone.

Fotot tregojnë jetën e përditshme të ekuipazhit gjatë misionit, me astronautët duke punuar në kabinë, si dhe pamje spektakolare të Tokës të fotografuara nga dritaret e anijes. Këto imazhe konsiderohen si ndër fotot “Shot with iPhone” të realizuara në lartësinë më të madhe ndonjëherë.
Për të përdorur iPhone në hapësirë, NASA i nënshtroi pajisjet një sërë testesh të rrepta sigurie për të shmangur rreziqe të mundshme, si thyerja e xhamit apo probleme të tjera teknike. Në kushtet e mungesës së gravitetit, astronautët i fiksojnë telefonët me Velcro ose i mbajnë në xhepat e kostumeve gjatë nisjes.

Megjithatë, funksionaliteti i iPhone-ve në hapësirë është i kufizuar. Ata përdoren vetëm për foto dhe video dhe nuk kanë akses në internet, Wi-Fi apo Bluetooth. Kjo bëhet për arsye sigurie dhe për të shmangur ndërhyrje në sistemet e anijes.

