Shkencëtarët nga Universiteti Kanazawa në Japoni kanë zhvilluar një përbërje të re që mund të revolucionarizojë çrregullimeve të ritmit cirkadian dhe udhëtimin drejt zonave kohore të ndryshme. Ilaçi eksperimental, i quajtur Mic-628, vepron duke aktivizuar një gjen specifik të orës biologjike, Per1, i cili luan rol kyç në rregullimin e ciklit gjumë–zgjim. Ritmi cirkadian është mekanizmi i brendshëm që përcakton kur ndihemi të përgjumur apo të zgjuar, dhe prishja e tij është arsyeja kryesore e lodhjes pas udhëtimeve të gjata ajrore.
Në eksperimentet mbi minjtë, një dozë e vetme orale e Mic-628 arriti të shkurtojë kohën e përshtatjes së orës biologjike nga shtatë ditë në vetëm katër. Kjo tregon se substanca mund të shërbejë si një “ilaç inteligjent” për përballimin e punës me turne, potencialisht më efektiv se metodat aktuale si terapia me dritë ose përdorimi i melatoninës. Sipas studiuesve, fluturimet nga perëndimi drejt lindjes janë veçanërisht problematike, pasi kërkojnë avancim të orës biologjike, gjë që është më e vështirë për organizmin.
Studimi, i botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), thekson se aktivizimi selektiv i gjenit Per1 mund të jetë një qasje e re terapeutike për çrregullimet e ritmit cirkadian te njerëzit. Megjithatë, autorët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e Mic-628 te njerëzit.
Ndërkohë, një studim tjetër nga viti 2023 sugjeron një metodë më të thjeshtë për të luftuar lodhjen e fluturimit drejt zonave të ndryshme: një mëngjes i bollshëm dhe shmangia e darkës gjatë ditëve të para pas udhëtimit. Studiuesit nga Universiteti Northwestern në SHBA, përmes një modeli matematikor, treguan se kjo strategji mund të përshpejtojë rikuperimin deri në tre ditë. Megjithatë, edhe kjo qasje kërkon më shumë prova klinike përpara se të rekomandohet gjerësisht.

