Çmimi i Bitcoin ra me më shumë se 10% të enjten, duke e çuar kriptomonedhën më të madhe në botë në nivelin më të ulët që nga tetori 2024 dhe duke fshirë një pjesë të madhe të fitimeve të realizuara gjatë muajve të fundit. Rënia erdhi pas disa ditësh humbjesh të forta dhe 1 bitcoin arriti në shifrën $64,000, ose 48% më poshtë nga rekordi historik prej rreth 126,210 dollarësh, i arritur vetëm katër muaj më parë, në tetor 2025.
Ky nivel ishte regjistruar pak para zgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së, një figurë e njohur për mbështetjen e tij ndaj kriptomonedhave. Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë kishte nxitur një rritje të fortë të tregut, duke e çuar bitcoin-in në nivele rekord. Megjithatë, entuziazmi i atëhershëm është zëvendësuar nga një klimë pasigurie.
Rënia nuk u kufizua vetëm te bitcoin. Ethereum, kriptomonedha e dytë më e madhe, humbi rreth 10%, ndërsa Solana ra me rreth 11%. Sipas ekspertëve, këto lëvizje lidhen me pasigurinë ekonomike dhe gjeopolitike, e cila ka nxitur një shitje masive nga investitorët. Rënia fillestare besohet se ka detyruar edhe investitorët të mbyllin pozicionet e tyre, duke e thelluar presionin negativ mbi çmimet.
Situata ekonomike në SHBA ka kontribuar gjithashtu në këtë klimë: tregu i punës është ngadalësuar, ndërsa inflacioni mbetet mbi objektivin 2% të Rezervës Federale. Në planin global, tensionet janë shtuar nga lufta në Ukrainë, kriza të mundshme në Venezuela dhe Iran, si dhe kërcënimet e Trump për tarifa tregtare ndaj Kanadasë, Koresë së Jugut dhe disa vendeve evropiane.
Kjo situatë përbën një kontrast të fortë me periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2024, kur bitcoin u rrit me mbi 40%, i nxitur nga premtimet e Trump për ta bërë SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptove” dhe për të krijuar një Rezervë Strategjike Kombëtare të Bitcoin.
Megjithë paqëndrueshmërinë e lartë historike, përfshirë rënie mbi 60% në vitin 2022, bitcoin ka ruajtur një trend afatgjatë rritës. Gjatë 5 viteve të fundit, çmimi i tij është rritur me 63%, një performancë e krahasueshme me rritjen 75% të indeksit S&P 500.

