HBO po zhvillon një serial televiziv të bazuar në Baldur’s Gate, i cili do të vazhdojë historinë e lojës shumë të suksesshme Baldur’s Gate 3 nga Larian Studios, sipas një raportimi të Deadline. Projekti do të drejtohet nga Craig Mazin, bashkëkrijuesi i serialit hit The Last of Us, i cili do të shërbejë njëkohësisht si krijues, skenarist, producent ekzekutiv dhe showrunner i serialit të ri.
Seriali pritet të prezantojë protagonistë të rinj, por planet përfshijnë edhe rikthimin e personazheve ekzistues nga loja. Mazin ka shprehur dëshirën për të kontaktuar aktorët e zërit në Baldur’s Gate 3, duke diskutuar ide se si ata mund të përfshihen në adaptimin televiziv në mënyra që do të ishin të realizueshme dhe kuptimplota për historinë. Kjo ka ngjallur entuziazëm te fansat, të cilët shpresojnë që i gjithë kasti kryesor i lojës të rikthehet, duke qenë se interpretimet e tyre u vlerësuan gjerësisht.

Ende nuk ka një datë të konfirmuar debutimi për serialin, dhe sipas raportimeve, Larian Studios nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin e tij, fakt i konfirmuar edhe nga Geoff Keighley. Megjithatë, Mazin ka shprehur respekt dhe admirim të madh për punën e Larian dhe Wizards of the Coast.
Në një deklaratë për Deadline, Mazin u shpreh se pas gati 1000 orësh të kaluara në botën e Baldur’s Gate 3, vazhdimi i kësaj historie është një ëndërr e bërë realitet për të. Ai e cilësoi veten si një fans të përkushtuar të Dungeons & Dragons dhe të mënyrës brilante se si ekipi i drejtuar nga Swen Vincke e adaptoi atë në lojë. Madje, Mazin ka përfunduar lojën edhe në Honour Mode, niveli më i vështirë.
Ndërkohë, Mazin vazhdon të punojë edhe në sezonin e tretë të The Last of Us, i cili mund të jetë sezoni i fundit. Bashkëkrijuesi tjetër i serialit, Neil Druckmann, ka njoftuar se do të largohet nga projekti për t’u fokusuar në zhvillimin e lojërave të Naughty Dog.

