Porsche ka prezantuar zyrtarisht versionin plotësisht elektrik të SUV-it të saj të njohur, Cayenne, duke e quajtur modelin më të fuqishëm të prodhuar në masë në historinë e kompanisë. Cayenne EV i vitit 2026 arrin deri në 1,139 kuaj-fuqi dhe përshpejton nga 0 në 100 km/h në vetëm 2.4 sekonda, shifra që e vendosin mbi rekordin e mëparshëm të Taycan Turbo GT me 1,019 kuaj-fuqi. Megjithatë, kjo fuqi maksimale arrihet vetëm në “launch mode“, ndërsa në përdorim të zakonshëm modeli ofron deri në 844 kuaj-fuqi.
Varianti më i avancuar është ai “Turbo Electric”, me një çmim fillestar prej $163,000, duke e bërë një nga Porsche-t më të shtrenjta aktualisht. Versioni standard, me 402 kuaj-fuqi do të nisë nga $109,000. Të gjitha modelet përdorin një bateri 113 kWh dhe arkitekturë 800 volt, që mundëson karikim nga 10% në 80% në më pak se 16 minuta. Për herë të parë, Porsche ofron edhe karikim induktiv (pa kabllo), megjithëse me shpejtësi dukshëm më të ulët.
Porositë për Cayenne Electric tashmë kanë nisur, ndërsa dërgesat pritet të fillojnë në fund të verës së vitit të ardhshëm. Debutimi i këtij modeli vjen vetëm pak kohë pasi Porsche njoftoi se do të zbusë planet e saj agresive për elektrifikim, duke zgjedhur të vazhdojë ofrimin e modeleve me motorë me djegie të brendshme dhe hibride, si pjesë e një ristrukturimi të strategjisë së produkteve.
Cayenne EV do të shitet paralelisht me versionet me benzinë dhe hibride, duke u bërë EV-ja e tretë e Porsche pas Taycan dhe Macan elektrik.

