Karriera ndërkombëtare e shqiptares nga Kosova, Drena Kusari, ka hyrë në një fazë të re dhe jashtëzakonisht të rëndësishme, pasi ajo është emëruar në një nga pozicionet më të larta drejtuese në Microsoft. Marrja e rolit Corporate Vice President and General Manager e vendos Kusarin në qendër të vendimmarrjes strategjike të një prej kompanive më me ndikim në ekosistemin global të teknologjisë.
Ky zhvillim përfaqëson jo vetëm një sukses individual, por edhe një shembull të fuqishëm të përparimit të profesionistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare, veçanërisht të grave që po marrin role gjithnjë e më të dukshme në sektorë tradicionalisht të dominuar nga burrat. Emërimi i saj shihet si dëshmi e besimit që korporatat globale po u japin profileve me vizion, përvojë dhe mendim strategjik të avancuar.
Rruga e Kusarit drejt këtij pozicioni ka qenë e ndërtuar mbi përkushtim dhe përshtatje të vazhdueshme. E rritur në Gjakovë dhe e zhvendosur në SHBA pas luftës së Kosovës, ajo arriti të ndërtojë bazat e saj profesionale duke filluar nga puna humanitare, për t’u diplomuar më pas në fushën e ekonomisë dhe diplomacisë dhe marrjen e masterit për menaxhim biznesi në Harvard Business School, një nga shkollat më prestigjioze të biznesit.
Formimi i saj akademik, i kombinuar me eksperiencë në institucione dhe kompani liderë botërorë, e ka pajisur me një profil të rrallë drejtues. Përgjatë viteve, ajo ka drejtuar ekipe të mëdha, ka menaxhuar tregje komplekse dhe ka kontribuar në rritjen strategjike të kompanive ku ka shërbyer. Më parë ajo ka patur dhe një rol mjaft të rëndësishëm në kompaninë Bumble, duke ndihmuar në përmirësimin e strategjisë së biznesit të kompanisë.

