Një studim i ri ka zbuluar se çiftet që e kanë nisur lidhjen e tyre online raportojnë nivele më të ulëta lumturie dhe kënaqësie martesore, si dhe përjetojnë dashuri më pak intensive krahasuar me ata që janë njohur personalisht.
Hulumtimi, i botuar në Telematics and Informatics, analizoi 6,646 persona në lidhje nga e gjithë bota, duke shqyrtuar mënyrën se si u njohën me partnerët e tyre dhe nivelin e kënaqësisë në marrëdhënie. Rezultatet treguan se 16% e pjesëmarrësve u njohën online, një përqindje që rritet në 21% për ata që e filluan romancën pas vitit 2010.
Sipas bashkautor Adam Bode nga Australian National University, ata që u njohën online raportuan më pak intimitet, pasion dhe përkushtim sesa ata që u njohën “offline”. Kjo mund të lidhet me faktin se çiftet që njihen në jetën reale kanë më shumë gjasa të ndajnë karakteristika të ngjashme, si sfond social dhe arsimor, gjë që ndikon pozitivisht në cilësinë e marrëdhënies.

Nga ana tjetër, interneti ofron një gamë të gjerë mundësish, por ky “bollëk zgjedhjesh” shpesh çon në mbingarkesë dhe zgjedhje më pak të qëndrueshme. Studimi nuk gjeti prova se të rinjtë janë më të prirur të njohin partnerë online, duke sugjeruar se aplikacionet e takimeve përdoren tashmë në të gjitha grupmoshat.
Ndërkohë, ka një ndryshim në përdorimin e tyre: përdoruesit e hershëm kërkonin partnerë afatgjatë, por sot ato shfrytëzohen gjithnjë e më shumë për lidhje të shkurtra. Ky trend, bashkë me rrezikun e shpërfilljes së “red flags” që janë më të dukshëm në takimet reale, mund të shpjegojë pse marrëdhëniet e nisura online shpesh kanë cilësi më të ulët.
Autorët theksojnë nevojën për mbështetje shtesë që të ndihmojë çiftet, veçanërisht ata që janë njohur online, për të forcuar cilësinë e lidhjes së tyre.