Mira Murati, CTO e një prej kompanive më të rëndësishme në botë, OpenAI, u intervistua pak javë më parë nga Kevin Scott, CTO në Microsoft ku foli për historinë e saj se si arriti të ngjiste shkallët hap pas hapi në industrinë e teknologjisë.
Ajo punoi si një inxhiniere dhe një menaxhere produktesh në pjesën më të madhe të karrierës, dhe ndihmoi gjithashtu në zhvillimin e makinës Tesla Model X, para se t’i bashkohej OpenAI në vitin 2018 si zëvëndës presidente e Applied AI and Partnerships dhe më pas duke u ngritur në detyrë në rolin e CTO. Pozicioni si CEO e përkohshme e OpenAI u arrit vetëm para pak ditësh ku kompania lajmëroi largimin e Sam Altman në një mënyrë shumë të papritur.
Në fillim të kësaj interviste Mira Murati bashkëbisedoi me Kevin Scott rreth vendlindjes dhe fëmijërisë së saj në Vlorë dhe si nisi interesi i saj për shkencën. Ajo tregon se ishte vetëm 2 vjeçe në momentin kur regjimi komunist mori fund në Shqipëri, dhe e gjithë pasiguria apo ndryshimet që ndodhnin në atë periudhë e shtyu Mirën që të ishte e apasionuar pas së vërtetës që vjen në shkencat ekzakte, kryesisht matematikës.
Ajo tregon se pasioni i saj për matematikën dhe fizikën vazhdoi dhe përgjatë gjimnazit e deri në universitet, duke marrë pjesë në shumë olimpiada të organizuara në shkollë. Mira tregon se si mësuesit e kishin mbështetur gjatë shkollimit të saj në Shqipëri, deri në moshën 16 vjeçare ku ajo fitoi një bursë për të studiuar në Vancouver, Kanada.
Ju mund të dëgjoni këtë intervistë e cila në fakt është 1 orë e 6 minuta e gjatë, ku Mira detajon historinë e saj dhe sukseseve që ka arritur gjatë kësaj kohe.