Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, prezantoi gjatë ditës së sotme një aplikacion të ri që ka si qëllim të ndihmojë përdoruesit të krijojnë muzikë për videot që publikojnë në rrjetet sociale.
Aplikacioni quhet Ripple dhe për momentin po testohet nga një grup i vogël njerëzish të përzgjedhur në SHBA. Ripple është dizenjuar për të ndihmuar muzikantët apo krijuesit e ndryshëm që të krijojnë dhe editojnë audio.
Për të krijuar audio, përdoruesit mundet dhe të këndojnë në mënyrë direkte dhe aplikacioni do të gjenerojë një melodi në bazë të asaj që dëgjon, dhe do ta zgjerojë atë në një këngë instrumentale përmes machine learning. Modeli i këtij aplikacioni është trajnuar nga muzika që është e liçensuar apo e zotëruar nga ByteDance. Kompania nuk tregoi nëse në të ardhmen ekzistojnë plane që aftësia e këtij aplikacioni të zgjerohet me gjenerimin e tekstit të këngës.
“Ripple është krijuar për të frymëzuar krijimtarinë muzikore dhe për të ndihmuar muzikantët, artistët dhe kompozitorët të shprehen,” tha ByteDance në një deklaratë. “Ne jemi të emocionuar të shohim se si krijuesit do të përdorin Ripple duke shfrytëzuar krijimtarinë e tyre për të gjeneruar muzikë për videot e tyre të shkurtra.”
Dhe pse Ripple nuk është integruar në mënyrë të drejtpërdrejtë në TikTok, ByteDance tregon se është e thjeshtë të krijosh muzikë në Ripple dhe ta përdorësh atë në sfondin e një video të TikTok, duke vënë në dukje se gjithçka që një përdorues duhet të bëjë është të krijojë një këngë në Ripple dhe më pas të klikojë për ta ndarë atë me TikTok.