Meta po përgatitet për të prezantuar një lloj të ri reklamash në Facebook të cilat do të lejojnë përdoruesit në BE që të shkarkojnë aplikacione direkt nga platforma, pa patur nevojë që të vizitojnë dyqanin kryesor në smartphone.
Në këtë mënyrë aplikacionet do të instalohen menjëherë në smartphone-in tuaj. Për momentin ky shërbim po përgatitet për të funksionuar në pajisjet Android, pasi Meta ka nisur të punojë me zhvilluesit e aplikacioneve për Android para se të lançojë modelin e ri të reklamave.
Metoda e re e shkarkimit të aplikacioneve direkt nga reklamat mendohet se është e pavarur nga App Store dhe Play Store. Kjo gjë do të jetë e mundur në Bashkimin Evropian falë Digital Markets Act, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2024. Rregullat e reja të këtij akti tregojnë se përdoruesit duhet të jenë të lirë të shkarkojnë aplikacione nga dyqane të ndryshme.
Tom Channick, një zëdhënës i Meta, ka konfirmuar planin e kompanisë për të prezantuar shkarkimin e aplikacioneve përmes reklamave në Facebook.
“Ne kemi qenë gjithmonë të interesuar të ndihmojmë zhvilluesit të shpërndajnë aplikacionet e tyre dhe opsionet e reja do të shtojnë më shumë konkurrencë në këtë hapësirë,” tha ai. “Zhvilluesit meritojnë më shumë mënyra për t’i dërguar me lehtësi aplikacionet e tyre drejt njerëzve që i duan ato.”
Mendohet se Meta se nuk do të marrë një përqindje të fitimeve nga zhvilluesve dhe do t’i lejojë ata të përdorin çdo sistem faturimi që dëshirojnë. Për momentin, gjithsesi. Kjo mund të ndryshojë ndërsa shërbimi përmirësohet, nëse kalon fazën e testimit pilot fillimisht.