Sulmuesi i ekipit të Brazilit është përballur me një rritje të konsiderueshme të ndjekësve në Instagram pas paraqitjes mbresëlënëse kundër Serbisë në Kupën e Botës.
Richarlison pa një rritje të konsiderueshme të ndjekësve të tij, ku numri i tyre u rrit me më tepër se 4 milionë për një periudhë shumë të shkurtër. Performanca e tij e mirë u vlerësua gjithashtu dhe nga FIFA, pasi ai u cilësua si “man-of-the-match”.
Brazili e nisi rrugëtimin në Kupën e Botës me një fitore 2-0 kundër Serbisë në Grupin G. Richarlison i shënoi të dy golat në pjesën e dytë për ekipin e Brazilit, ku goli i dytë është një kandidat i fortë për të fituar çmimin si “goli më i mirë i kampionatit”.
Ai arriti të kontrollonte mjaft mirë një top të krosuar nga Vinicius JR, para se të godiste fluturimthi topin dhe të shënonte një gol spektakolar në minutën e 73-të.
Tashmë (27 nëntor) Richarlison ka në total 13.3 milionë ndjekës në Instagram, pas rritjes së menjëhershme. Kjo është një kthesë mjaft e rëndësishme për një lojtar që shpesh herë është kritikuar, pasi u përzgjodh në ekipin përfaqësues para yllit të Liverpool, Roberto Firmino.