Netflix ka nisur eksperimentimin e një shërbimi të ri i cili ka si qëllim t’i japë fund fenomenit të shpërndarjes së passwords në 3 shtete të Amerikës Latine: Kosta Rika, Kili dhe Peru. Sipas Netflix kjo ishte një ndër arsyet e ndryshme që ndikuan në uljen e personave të abonuar në këtë platformë për herë të parë pas një dekade.
Prandaj, për të parandaluar këtë fenomen kompania vendosi të niste testimin për të dënuar përdorimin e një adrese të vetme në disa shtëpi të ndryshme. Mirëpo nëse përdoruesit duan të vazhdojnë të përdorin një adresë në shtëpi të ndryshme do të duhet të paguajnë një tarifë mujore $2-$3.
Mirëpo Rest of World raporton se kjo taktikë ka qenë pjesërisht e suksesshme për Netflix. Rest of World komunikoi me disa persona të ndryshëm në Peru të cilët treguan se mesazhi që i informonte rreth ndryshimit të politikave ishte disi i paqartë, dhe ato nuk janë detyruar të paguajnë më tepër për shpërndarjen e password-it. Paqartësia kryesore për konsumatorët qëndron në atë që Netflix konsideron “brenda shtëpisë”.
Një zëdhënës i Netflix u përgjigj: “Ne kemi filluar të punojmë mbi këtë shërbim të ri 18 muaj më parë, mirëpo që prej 5 vitesh kemi cilësuar qartë se një adresë Netflix duhet të përdoret vetëm nga personat që jetojnë së bashku në një banesë.”