Çmimi i aksioneve të Netflix ka rënë ndjeshëm pas lajmërimit se platforma ka parë për herë të parë gjatë kësaj dekade rënien e numrit të përdoruesve me 200,000 të tillë, dhe pritet që gjatë 3 muajve në vijim të humbasë dhe 2 milionë përdorues të tjerë.
Kjo rënie ishte me të vërtetë e papritur, pasi analistët në Wall Street prisnin që kompania të lajmëronte rritjen me 2.5 milionë përdorues të rinj. Në të gjithë botën Netflix ka 222 milionë të abonuar. Mirëpo disa prej tyre mund të kenë ndryshuar mendjen pas vendimit që platforma mori për rritjen e çmimeve në të gjithë botën.
Nga ana tjetër Netflix tregon se nëse nuk do të ishte zhvilluar lufta në Ukrainë, situata nuk do të ishte e njejtë, pasi platforma do të kishte 700,000 përdorues të rinj, dhe nuk do të kishte një rënie të tillë.
Megjithatë platforma lajmëroi se po eksploron mundësinë për të përfshirë disa reklama në një kategori të caktuar abonimi për të ulur disi çmimet. Një plan më i lirë abonimi do të jetë më i përballueshëm dhe do të bëjë të mundur rritjen e numrit të përdoruesve të platformës.
Aktualisht Netflix po tenton që përveç argëtimit nëpërmjet filmave dhe serialeve, të argëtojë përdoruesit nëpërmjet disa lojërave të reja. Mirëpo për të tërhequr akoma dhe më shumë përdorues, kompania mund të ndjekë një strategji të ngjashme me Amazon, e cila ka përfshirë dhe përmbajtje të tjera si sporte apo lajme në abonim.