Një grup prej 26 ish-punonjësish të Meta ka ngritur një padi federale në Kaliforni, duke akuzuar kompaninë se ka përdorur sisteme të bazuara në inteligjencën artificiale për të përzgjedhur punonjësit që do të prekeshin nga valët e fundit të pushimeve nga puna. Sipas padisë, algoritmet kanë penalizuar në mënyrë disproporcionale punonjësit me aftësi të kufizuara, ata që kishin marrë leje mjekësore ose që mungonin për t’u kujdesur për familjarët.
Padia, e depozituar në Oakland, konsiderohet si një nga rastet e para në SHBA ku një kompani e madhe përballet me akuza se ka përdorur AI për vendime që lidhen me largimin e punonjësve.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Meta u mbështet në një sërë treguesish të automatizuar, përfshirë produktivitetin dhe përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale, për të renditur punonjësit. Ankuesit pretendojnë se mungesat për arsye shëndetësore i bënë ata të dukeshin më pak produktivë, duke i vendosur në disavantazh gjatë procesit të vlerësimit.
Punonjësit kërkojnë që gjykata të bllokojë përkohësisht pushimet nga puna, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 22 korrik, ndërsa çështja shqyrtohet në arbitrazh privat.
Meta i ka hedhur poshtë akuzat. Në një deklaratë për Reuters, kompania tha se vendimet për menaxhimin e fuqisë punëtore “janë marrë dhe vazhdojnë të merren nga njerëzit, jo nga inteligjenca artificiale“.
Megjithatë, padia pretendon se Meta përdori disa mjete të brendshme të asistuara nga AI për të krijuar lista dhe renditje të punonjësve. Mes tyre përmendet Metamate, asistenti i bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), një sistem i quajtur “second brain” që analizonte komunikimet dhe dokumentet e punonjësve, si dhe një indeks produktiviteti që monitoronte shtypjet në tastierë, aktivitetin në ekran, email-et dhe historikun e shfletimit.
Paditësit gjithashtu pretendojnë se Meta nuk i testoi këto sisteme për paragjykime algoritmike, duke shkelur ligjet e reja të Kalifornisë dhe New York City për përdorimin e AI në vendin e punës.

