Bumi i inteligjencës artificiale vazhdon të transformojë industrinë globale të çipave dhe një nga përfituesit më të mëdhenj është Samsung. Gjiganti koreano-jugor ka njoftuar se pret të regjistrojë një rritje rekord të fitimeve gjatë tremujorit të dytë të vitit, të nxitur nga kërkesa e jashtëzakonshme për çipat e memories që përdoren në serverët dhe qendrat e të dhënave të AI.
Sipas parashikimeve të kompanisë, fitimi operacional për periudhën prill-qershor do të arrijë në rreth rreth 58.4 miliardë dollarë, afro 19 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Njëkohësisht, Samsung pret të raportojë shitje prej rreth 114 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi i të ardhurave të regjistruara një vit më parë.
Ekspertët e industrisë e lidhin këtë rezultat pothuajse tërësisht me revolucionin e inteligjencës artificiale. Kërkesa për memoriet DRAM dhe HBM, të cilat përdoren në procesorët grafikë të kompanive si Nvidia dhe Google, vazhdon të jetë shumë më e lartë se kapacitetet aktuale të prodhimit. Si pasojë, prodhuesit kanë rritur ndjeshëm çmimet e këtyre komponentëve, duke përmirësuar edhe marzhet e fitimit.

Sipas analistëve të Counterpoint Research dhe IDC, tregu i memories po përjeton një situatë të paprecedentë, ku qendrat e të dhënave për AI po konsumojnë pjesën më të madhe të prodhimit global. Kjo ka krijuar mungesa edhe për sektorin e elektronikës së konsumit, ndërsa pritet që furnizimi të mbetet i kufizuar edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Megjithatë, pavarësisht rezultateve rekord, aksionet e Samsung ranë rreth 7% pas publikimit të parashikimeve financiare, pasi disa investitorë kishin pritur fitime edhe më të larta. Nga ana tjetër, vlera e kompanisë në bursë është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i vitit, ndërsa rivali SK Hynix ka shënuar një rritje edhe më të fortë.
Ndërkohë, Koreja e Jugut po investon masivisht në industrinë e gjysmëpërçuesve, me plane për projekte që arrijnë vlerën e rreth 880 miliardë dollarëve, të udhëhequra nga Samsung dhe SK Hynix. Edhe Japonia, Kina dhe Tajvani po përshpejtojnë ndërtimin e fabrikave të reja, ndërsa gara globale për të furnizuar epokën e inteligjencës artificiale po bëhet gjithnjë e më intensive.

