Google ka konfirmuar zyrtarisht datën e eventit të saj vjetor Made by Google 2026, ku do të prezantojë gjeneratën e re të pajisjeve Pixel. Aktiviteti do të zhvillohet më 12 gusht në New York, një javë më herët se edicioni i vitit të kaluar, duke vazhduar strategjinë e kompanisë për të sjellë telefonët e rinj në treg përpara rivalëve.
Ftesa zyrtare konfirmon se prezantimi do të nisë në orën 15:00 PT (00:00 me orën shqiptare të 13 gushtit) dhe përmend vetëm “gjeneratën e ardhshme të Pixel“, ndërsa imazhi promocional shfaq një kornizë metalike me ngjyrë ari, duke lënë të kuptohet një dizajn premium për modelet e reja.

Sipas informacioneve të deritanishme, Google pritet të prezantojë 4 smartfonë të rinj: Pixel 11, Pixel 11 Pro, Pixel 11 Pro XL dhe Pixel 11 Pro Fold. Megjithëse rrjedhjet sugjerojnë se dizajni do të mbetet shumë i ngjashëm me gjeneratën aktuale, fokusi kryesor pritet të jetë tek funksionet e reja të inteligjencës artificiale dhe përmirësimet në softuer, të cilat janë kthyer në prioritetin kryesor të kompanisë vitet e fundit.
Një nga risitë që përflitet është një element i ri i quajtur “Pixel Glow”, megjithëse detajet mbi funksionimin e tij mbeten ende të paqarta. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse rritja e kostove të komponentëve elektronikë do të ndikojë në specifikat teknike ose në çmimet e modeleve të reja.
Përveç telefonëve, Google pritet të prezantojë edhe Pixel Watch 5, i cili raportohet se do të vijë sërish në dy madhësi të ndryshme. Gjithashtu pritet debutimi i gjeneratës së re të Pixel Buds Pro, edhe pse deri më tani nuk kanë dalë informacione konkrete mbi kufjet.

