A jeni të mërzitur nga video-telefonatat e shumta dhe të gjata që kryeni çdo ditë? Tashmë falë avancimeve në teknologji dhe inteligjencës artificiale ju mund të krijoni një kopje dixhitale për t’ju zëvëndësuar gjatë këtyre video-telefonatave.
Falë një startup-i të quajtur Pickle, edhe kur jeni duke pirë një margarita në në një bar për kënaqësi, mund të shfaqeni sikur jeni në zyrën tuaj duke iu përgjigjur telefonatës. Për të krijuar kopjen tuaj dixhitale, gjithçka është e thjeshtë: duhet të regjistroni një video pesë-minutëshe të vetes tuaj për të trajnuar sistemin, i cili do të krijojë një avatar dhe 24 orë më vonë, me sa duket, jeni gati për ta përdorur.
Dëshironi të telefononi nga makina? Askush nuk do ta kuptojë. Po përtoni të ngriheni nga shtrati për t’ju përgjigjur telefonatës? Jeni në një bar në plazh? Nuk ka problem.
Shërbimi aktualisht vjen në versione bazë, standarde dhe pro, duke filluar nga 300 dollarë në 1,150 dollarë në vit. E mbështetur nga firma sipërmarrëse e L.A. Krew Capital, teknologjia funksionon tani vetëm me macOS, thotë Pickle, por një version i Windows thuhet se do të vijë muajin e ardhshëm.
Ndërkohë, aplikacionet ku shërbimi mund të përdoret përfshijnë Zoom, Google Meet dhe Teams, megjithëse do të duhet të prisni për t’i përdorur ato. Sipas faqes së saj, “për shkak të kërkesës së lartë, gjenerimi i kloneve aktualisht kërkon pak më tepër kohë“.