Në fabrikën e Ex-Robots në qytetin bregdetar verilindor të Kinës, Dalian, inxhinierët zhvillojnë robotë humanoidë me fokus në përmirësimin e shprehjeve të fytyrës dhe emocioneve.
Maskat prej silikoni të gjata deri në qafë shihen të shtrira në një tavolinë së bashku me krahët dhe këmbët silikoni, ndërsa kokat e veçuara shfaqen në ekspozitë në faza të ndryshme të zhvillimit. Gjithashtu si zbukurime në mur ndodhen disa dizenjime të robotit.
“Ne kemi skuadrat tona të softuerit dhe algoritmit,” tha shefi ekzekutiv i Ex-Robots, Li Boyang, duke shtuar se robotët humanoidë janë klasa më komplekse e produkteve robotike. “Ka shumë modele dhe algoritme bazë që janë zakonisht me burim të hapur, të cilat i përdorin të gjithë. Megjithatë, ne përqendrohemi më shumë se si të bëjmë të mundur që AI të njohë dhe të shprehë mimikat e fytyrës dhe emocionet.“
Ndërsa një punonjëse e Ex-Robots lëviz kokën, buzëqesh dhe nxjerr gjuhën, një robot humanoid imiton lëvizjen e saj falë motorëve të vegjël të instaluar në disa hapësira në kokën e tij. “Ne po punojmë gjithashtu në modelin bazë. Modeli që po krijojmë është multi-modal dhe i aftë për shprehje emocionale. Mund të perceptojë mjedisin përreth dhe të prodhojë reagime të përshtatshme të fytyrës,” tha Li.
Ex-Robots tha se duhen dy javë deri në një muaj për të prodhuar një robot humanoid, me çmime që variojnë rreth $207,000. Qëllimi kryesor i robotëve të kompanisë deri më tani është të ekspozohen në muze, një prej të cilëve Ex-Robots e ka vendosur në të njëjtën ndërtesë me fabrikën e saj. Duke parë në të ardhmen, Li beson se robotët humanoidë do të kenë një rol më të madh për të luajtur në industrinë e kujdesit shëndetësor dhe arsimit.